Secondary Adv

Çmimi i naftës fillon të rritet në disa pika të Tiranës, arrin 179 lekë për litër

Rritja e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare pas tensioneve në Lindjen e Mesme ka nisur të reflektohet edhe në tregun vendas.

Në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë ka nisur rritja e çmimit të naftës me rreth 4 lekë për litër. Sipas vëzhgimeve në terren, në disa stacione karburanti çmimi ka arritur deri në 179 lekë për litër, ndërsa më parë tregtohej rreth 175 lekë për litër.

 

Rritja ka nisur në disa pika karburanti

Rritja është konstatuar që nga dita e djeshme në disa pika të tregtimit të karburanteve në kryeqytet. Në një pikë të kompanisë “Elda” në zonën e Xhamllikut, çmimi i naftës ka arritur në 179 lekë për litër nga 175 lekë që ishte më parë, duke shënuar një rritje prej 4 lekësh. Ndërkohë, çmimi i benzinës në të njëjtën pikë ka mbetur i pandryshuar në nivelin 179 lekë për litër.

 

E njëjta situatë është raportuar edhe në një tjetër pikë të kësaj kompanie në zonën e Bërrylit, ku punonjësit konfirmojnë se çmimi i ri ka hyrë në fuqi që nga dita e djeshme.

 

Disa kompani ende nuk kanë ndryshuar çmimet

Ndërkohë, në disa kompani të tjera çmimet nuk kanë pësuar ende ndryshime. Në pikat e kompanisë “Kastrati” nafta vazhdon të tregtohet me rreth 175 lekë për litër, ndërsa në stacionet e “Shell” çmimi mbetet rreth 178 lekë për litër.

 

Operatorët e tregut kanë paralajmëruar se rritja e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare pritet të reflektohet plotësisht në tregun vendas brenda pak ditësh, me një shtrenjtim që mund të arrijë nga 10 deri në 20 lekë për litër.

 

Rritja lidhet me tensionet në Lindjen e Mesme

Shtrenjtimi i karburanteve lidhet me rritjen e çmimeve të naftës në tregjet globale pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Aktualisht, në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës ka arritur rreth 83 dollarë për fuçi, nga rreth 65 dollarë për fuçi që ishte para nisjes së konfliktit në Iran.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat